Agjencia e Mbikqyrjes Policore (Rajoni Shkodër - Lezhë) ka ekzekutuar 4 urdhëra ndalimi për tre punonjës policie dhe një doganier.
Përmes një njoftimi, AMP bën të ditur se ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’.
Ndalimi i tyre vjen pasi një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi brenda tij është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”.
Njoftimi i AMP:
AMP ekzekuton 4 urdhëra ndalimi për tre punonjës policie dhe një doganier
Në vijim të hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër - Lezhë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
➡️ L. Ç., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
➡️ F. H., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
➡️ T. M., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
➡️ S. E., me detyrë Doganier në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
Urdhërat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Ëhatsapp 0694151511 (A2 Televizion)