Policia e Shtetit, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Rrjeti”, i cili çoi në goditjen e një grupi kriminal që trafikonte femra nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në Shqipëri.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Në fund të këtij operacioni janë dhënë 9 masa sigurie, 7 prej të cilave me burg, teksa në Kolumbi është arrestuar dhe organizatori i rrjetit Lucas Betankur 25 vjeç.
U vunë në pranga në kuadër të operacionit ndërkombëtar shtetasit Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shperdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu.
Po ashtu janë proceduar penalisht për ushtrim prostitucioni 48 shtetase të huaja, pjesa më e madhe e të cilave ishin akomoduar në një hotel në rrugën “Reshit Collaku”.
Sipas hetimeve, kolumbiani L. B. kishte rol kyç në rekrutimin e vajzave dhe në koordinimin e udhëtimeve të tyre drejt Shqipërisë. Vajzat detyroheshin të ushtronin prostitucion, shpesh përmes shantazhit dhe kërcënimeve ndaj tyre dhe familjeve të tyre në Kolumbi. Rrjeti funksiononte edhe nëpërmjet platformave online.
Në këtë aktivitet kriminal ishin të përfshirë edhe shtetas shqiptarë, të cilët siguruan akomodimin, shfrytëzimin e vajzave për prostitucion, shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe menaxhimin financiar të fitimeve përmes kriptovalutave. (A2 Televizion)