
Një shtetas kosovar që tentoi të trafikonte lëndë narkotike në Shqipëri është arrestuar nga policia. Bëhet fjalë për shtetasin H. M., 33 vjeç, banues në Prizren, të cilit iu gjet një sasi kanabis sativa.
“Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike Cannabis Sativa dhe automjeti që drejtonte i arrestuari. Si rezultat i verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut dhe punës operative, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, goditën një tjetër rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, në Shqipëri. Për rastin u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 33 vjeç, banues në Prizren. Gjatë kontrollit fizik të kryer në vijë të dytë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 33-vjeçarit iu gjetën me vete, 101 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)