“Mund të fshihesha në Dubai, por zgjodha Francën se e dua”, Gjykata e Apelit në Amiens lë në burg Ermal Beqirajn

Nga A2 CNN
25 Gusht 2026, 22:51 | Kronikë

Ermal Beqiri, biznesmeni i arrestuar në Francë për llogari të SPAK, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim. Gjykata e Apelit të Amiens, në Francë, la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë ndaj tij, raportoi të martën media franceze “Paris Normandie”.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë Ermal Beqiri ka deklaruar se kishte  ardhur në Francë në moshën 16-vjeçare, dhe se aty kishte familjen e tij të dytë: Po, udhëtoj shumë: Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, qoftë edhe në Dubai, por unë e dua Francën. Edhe pse nuk zgjodha vendin më të mirë për t'u fshehur, e as më të mirin për taksat.

Ermal Beqiri u arrestua në Francë më 27  korrik  teksa fluturoi me avionin e tij privat në një lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly. Përballë autoriteteve francezi deklaroi se  kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh.

Beqiri vijon të qëndrojë në paraburgim ne Francë teksa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij. Ermal Beqiri kërkohet nga SPAK lidhur me abuzimet me tenderët e AKSH-it. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos