Ditën që depozitoi në Kushtetuese ankimimin për shkarkimin, Erion Veliaj do të duhet të niste në gjykatën tjetër betejën për kundërshtimin e akuzave të SPAK.
Por, seanca paraprake në GJKKO për dosjen e Erion Veliajt u shty për në datë 10 tetor, pasi disa nga të pandehurit rezultoi që nuk ishin njoftuar. Përveç Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, në proces janë gjithashtu edhe 28 persona të tjerë, shoqëri biznesi e OJF, shkruan A2.
Veliaj nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati Artur Selmani, ndërsa në sallë ishte edhe ish-deputetja Klotilda Bushka, e pandehur për pengim të zbulimit të së vërtetës. Veliaj përballet me pesë akuza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje sendesh të ndaluara në qeli.
SPAK thotë se ai ka përfituar nga kompani dhe organizata në këmbim të lejeve ndërtimi apo fondeve publike.
Edhe Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Një tjetër i pandehur, gardiani i burgut të Durrësit, Fatjon Baci, akuzohet se i dha Veliajt celular gjatë transferimeve.
Më 2 tetor, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e Veliajt për lirim, me relatore gjyqtaren Albana Boksi. Gjithashtu, ai u shkarkua nga posti i kryebashkiakut më 25 shtator, por këtë të hënë Veliaj depozitoi ankimim në Gjykatën Kushtetuese. (A2 Televizion)