Prokuroria e Fierit ka kërkuar sot burgim të përjetshëm për shtetasin Azgan Mërnica , i akuzuar për vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, pjesë e Forcave Speciale “Shqiponja”.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Konflikti nisi pasi i pandehuri, duke drejtuar automjetin me shpejtësi dhe pa kontroll, rrezikoi përdoruesit e rrugës. Pasi viktima, i cili ishte në detyrë dhe me uniformë të Forcave Speciale, i tërhoqi vëmendjen, i pandehuri ndaloi automjetin, zbriti me një armë zjarri dhe e qëlloi drejt fytyrës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, shkruan A2 CNN.
Prokuroria e Fierit kërkon shpalljen fajtor të Mërnicës për tre vepra penale: “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, për të cilën kërkon burgim të përjetshëm. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për të cilën kërkon 7 vite burg. “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, për të cilën kërkon 6 muaj burg.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimet bashkohen, duke sjellë burgimin e përjetshëm si masë përfundimtare. (A2 Televizion)