Nga përjashtimi në shtyrje gradimi, Apelimi lehtëson masat për ish-drejtuesit e Policisë së Lezhës

Nga A2 CNN
10 Mars 2026, 16:38 | Kronikë

Nga përjashtimi në shtyrje gradimi, Apelimi lehtëson masat

Komisioni i Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndryshuar masat disiplinore të dhëna ndaj tre ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, duke i zbutur ato krahasuar me vendimin e mëparshëm të Drejtorisë së Standardeve Profesionale.

Sipas vendimit të ri, ndaj ish-zëvendësdrejtorit për Rendin në Policinë e Lezhës, Taulant Gjoka, i cili më parë ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit, është vendosur vetëm masa shtyrje e afatit të gradimit për 6 muaj.

Ndërkohë, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, është vendosur shtyrje e gradimit për 3 muaj, ndërsa për ish-shefin e Komisariatit të Lezhës, Oltion Gjoni, është vendosur shtyrje e gradimit për 1 vit.

Rreth një muaj më parë, Drejtoria e Standardeve Profesionale kishte marrë masa të rënda disiplinore ndaj tyre, me argumentin se nuk kishin kryer siç duhet detyrën. Sipas këtij institucioni, pas largimit të tyre nga detyra në qytetin e Lezhës u zbulua një kazino e paligjshme dhe një magazinë e madhe me kanabis.

Në vendimin fillestar ishte vendosur përjashtimi nga Policia e Shtetit për Taulant Gjokën dhe Oltion Gjonin, ndërsa për Altin Menën ishte dhënë masa ulje në gradë për 5 vite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos