
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi më 9 Mars, raportin vjetor për vitin 2025, ku parashtrohen rezultatet kryesore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjatë vitit 2025, numri i hetimeve penale është rritur krahasuar me vitin 2024. SPAK hetoi gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 raste të reja dhe 577 të mbartura nga viti 2024. Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti në rreth 45.4 milionë euro.
Kryeprokurori Klodian Braho, në deklaratën e tij, u shpreh që ka progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu ai vlerësoi që bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtarë është rritur. Në përmbyllje, ai tha që askush nuk është mbi ligjin dhe që kushdo që ka shkelur ligjin do të hetohet. “Të gjithë janë të barabartë para tij (ligjit)”, tha ai.
“Të dhënat e Raportit të Vitit 2025 tregojnë se SPAK ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë vlerësoj punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë, këto janë sfida që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme. Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Një rol kryesor në arritjet e SPAK ka luajtur edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij”, shtoi Braho. (A2 Televizion)