Policia e Shtetit njoftoi se dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin në vendin tonë, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, shkruan A2 CNN.
“Si rezultat i sigurimit të informacionit nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij, në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës, me Policinë italiane, janë lokalizuar dhe kapur në Itali dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë (vëllezër) të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, tha policia.
Të arrestuarit janë:
-E. H. alias E. L., 35 vjeç. Gjykata e Durrësit, në muajin janar 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, më datë 07.02.2021, ka vjedhur me dhunë, një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi. Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve";
K. H., 31 vjeç. Gjykata e Dibrës, në muajin korrik 2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". Në vitin 2019, shtetasi K. H. është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri. (A2 Televizion)