Policia e Kukësit ka nisur hetimet ndaj 3 personave të cilët penguan qarkullimin e mjeteve të transportit. Sipas policisë 3 të rinjtë parkuan automjetet e tyre në mënyrë të parregullt duke penguar qarkullimin normal të mjeteve dhe të qytetarëve.
“Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të kontrolleve për evidentimin e parkimeve të parregullta që pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe të qytetarëve, konstatuan në qytetin e Kukësit, 3 automjete që ishin bërë pengesë për lëvizjen e lirë të përdoruesve të rrugës. Në vijim të veprimeve për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, për drejtuesit e këtyre mjeteve, shtetasit A. E., 20 vjeç, A. N., 26 vjeç dhe E. S., 26 vjeç, banues në Kukës”, njofton policia.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin çdo veprim që pengon lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve.
“Parkimet e gabuara, veçanërisht në trotuare apo rrugëkalime, do të përballen me masa të menjëhershme penale dhe administrative”, njofton policia.
(A2 Televizion)