Tension e fyerje tek "Plumbi i Artë", zbardhet sherri mes të penduarve Dumani e Alibej në gjyq

Nga Armand Bajrami
23 Shtator 2025, 18:44 | Kronikë

Dy të penduarit kryesore të dosjes “Plumbi i artë”, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej u përfshirë në një sherr verbal e gati edhe fizik gjatë seancës të së martës në Gjykatën e Posaçme.

Situata mes dy të penduarve, që në çdo seancë të procesit kanë qëndruar të ulur krejt të qetë, thuajse ngjitur me njëri-tjetrin në një kënd të sallës, mes punonjësve të maskuar të policisë, precipitoi teksa Erion Alibej, po i përgjigjej pyetjeve të avokatëve.

Nga tavolina e dëshmitarëve, duke treguar si e njihte Dumanin para se ta takonte, Alibej tha “Nuredin Dumani ishte vëllai i Dashnor Dumanit, një nga ekzekutorët e vëllait tim”, duke ju referuar “masakrës së Bradasheshit”, ngjarje ku u vra vëllai i tij Endrit Alibej, daja i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.

Duke pohuar se përveç hetimit që kishte bërë vetë për ngjarjen, nga Dumani kishte mësuar fakte të reja, si përfshirja e Dorian Shkozës, apo edhe vendin ku u çua makina e atentatit, Alibej tha se “Nuredini nuk ma pranoi që vëllai i tij të ishte autor në ngjarje”. Me tej ai vijoi “Mbase kishte ndonjë hatërmbetje më vëllain e tij, apo nuk e di”, fraza që ngriti në këmbë të penduarin Nuredin Dumani.

“Me leje zonjë kryetare, tha Dumani, duke i drejtuar gishtin të penduarit Alibej, kjo është mashtrim. Mos e bëj atë gabim, mos e përmend më. Madje duhet të kërkosh edhe falje”.

Tensioni u ndërpre nga ndërhyrja e gjykatës, që urdhëroi punonjësit e sigurisë të zhvendosnin Dumanin në një kënd ku kishte më pak kontakt viziv me Alibejn.

Me tej seanca vijoi qetësisht, për t’u rindezur në mbyllje të saj.  Sapo trupa gjykuese la sallën Dumani iu drejtua me ton të lartë Alibejt duke iu afruar fizikisht: "Të degjeneroj! Do me më nxjerr mu mashtrues” dhe duke vijuar edhe me fyerje të rënda.

Situata kaotike bëri që të mos dëgjohej përgjigja që mori nga Alibej. Ndërhyrje e punonjësve të policisë shmangu konfrontimin fizik dhe qetësoi situatën. Në vijim policia efektivët e mbrojtjes së dëshmitarëve fillimisht nxorën nga salla Nuredin Dumanin e më pas Erion Alibejn.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos