Ditën e sotme gjyqtari i ndjerë Astrit Kalaja duhet të zhvillonte 12 masa sigurie. Ndërkohë Gjykata ka hedhur shortin dhe i kanë marrë tre gjyqtarë të tjerë.
Gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta raporton se sot zhvillohen në Gjykatën e Apelit të Tiranës vetëm masat e sigurisë, për shkak të afateve, ndërsa të gjithë seancat e tjera nuk do të zhvillohen sot.
Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohen vetëm masat e sigurisë, për shkak të skadimit të afateve. Gjykimet e ditës nuk po zhvillohen. Për çështjet e planifikuara palëve të pranishme vetëm ju njoftohet data e seancës pasardhëse.
Pas vrasjes së gjyqtarit Astriti Kalaja në kryeqytet, edhe në gjykatën e shkallës së parë në Vlorë janë pezulluar të gjitha proceset gjyqësore përgjatë kësaj të marte.
A2 CNN mëson se janë pezulluar të gjitha çështjet gjyqësore, veç masave të sigurisë që do të zhvillohen sot.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë për kontroll dhe për të parë kushtet e sigurisë në gjykatën dhe prokurorinë e Vlorës.
(A2 Televizion)