Pjesë e grupit kriminal për trafik droge, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari Edson Pjetri

Nga A2 CNN
24 Gusht 2025, 11:02 | Kronikë

Pjesë e grupit kriminal për trafik droge, ekstradohet nga Belgjika

Është ekstraduar nga Belgjika një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Bëhet fjalë për  Edson Jozwik alias Edson Pjetri, i cili akuzohet nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike.  

“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Belgjika në Shqipëri, i shtetasit E. J. alias E. P., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal””, njofton policia.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 41-vjeçar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, ka trafikuar rreth 160 kg lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos