
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Durrës, ku një 14-vjeçar ka plagosur rëndë me thikë një 15 vjeçar. Sipas policisë plagosja ka ndodhur në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”. Policia njofton se i mituri ka plagë të rënda dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.
“Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve”, njofton Policia.
Autori 14-vjeçar është arrestuar pas disa orësh nga policia.
“Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)
