
Arbër Krashi është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës për plagosjen e dy personave mbrëmë në zonën e Laprakës, raporton A2 CNN. Krashi dyshohet se është përfshirë në konfliktin që mbrëmjen e djeshme përfundoi me përdorimin e një pistolete në fushën e sportit.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Krashi kishte njohje me dy të plagosurit, Bledar Dautin, 39 vjeç, dhe Dashamir Tahirin, 35 vjeç. Të tre dyshohet se kishin pasur një konflikt të mëparshëm, i cili kishte nisur rreth dy vite më parë dhe që mbrëmjen e djeshme janë përplasur sërish.
Debati mes palëve është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, Dauti dhe Tahiri kanë marrë plagë në këmbë, bark dhe në zonën e legenit.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Gjatë kontrolleve në terren, efektivët e Policisë kanë gjetur të braktisur, vetëm pak metra larg fushës së sportit, mjetin që dyshohet se është përdorur nga Krashi. (A2 Televizion)