Polici hero në Fier, shpëton 4 të plagosurit e aksidentit në Qafë Koshovicë

Nga Çaku Tafa
9 Gusht 2025, 11:18 | Kronikë

Polici hero në Fier, shpëton 4 të plagosurit e aksidentit në

Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në Qafë Koshovicë, ku një aksident i rëndë mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e shpejtë të një polici të qarkullimit.

26-vjeçari Klajdi Mustaj, prej 18 muajsh pjesë e Policisë së Fierit dhe vetëm 2 muaj në shërbimin e qarkullimit rrugor, u gjend rastësisht pranë vendit të ngjarjes. Një automjet kishte humbur kontrollin, ishte përmbysur dhe kishte mbetur i bllokuar në anë të rrugës, me katër persona të plagosur brenda. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim, shkruan A2.

Pa menduar dy herë, Klajdi u hodh në veprim. Ai nxitoi drejt automjetit, i ndihmoi të plagosurit të dilnin dhe, kur pa se koha ishte e pakët, mori në krahë një prej tyre dhe e largoi në një zonë të sigurt. Gjatë ndërhyrjes, edhe vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal derisa të gjithë u nxorën nga rreziku.

Ky gjest i guximshëm tregon fytyrën e vërtetë të një polici që nuk e sheh uniformën thjesht si punë, por si mision për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Veprime të tilla janë shembull frymëzimi për shoqërinë dhe një arsye e fortë që institucioni ku ai shërben ta vlerësojë publikisht.

Në një kohë kur shpesh flitet për kritika ndaj sistemit, është e rëndësishme të nxjerrim në pah figurat e ndritura, si Klajdi Mustaj, që me guximin dhe humanizmin e tij dëshmoi se heronjtë nuk janë vetëm në filma – ata ecin mes nesh, të gatshëm të sakrifikojnë për jetën e tjetrit.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi aktin heroik të policit të ri me anë të një postimi në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos