“Postierët” e drogës, Gjykata e Tiranës “kyç” në qeli 20 nga 22 të arrestuarit

Nga Armand Bajrami
26 Dhjetor 2025, 18:34 | Kronikë

Gjykata e Tiranës vendosi të izolojë në paraburgim 20 nga 22 të arrestuarit e së mërkurës gjatë një operacionit të koduar “Labirinti 2”, që kishte në thelb goditjen e shpërndarësve të drogës në kryeqytet.

Masat më të buta të sigurisë, “arrest në shtëpi” dhe “detyrim për paraqitje” u caktuan ndaj të dyshuarve Blerim Mali dhe Majdi Musa, për shkak të rrethanave të veçanta, ku i pari ishte kujdestar i nënës së verbër e motrës së paralizuar, ndësa tjetri ishte duke ndjekur studimet universitare, shkruan A2.

Gjatë seancës së vlerësimit të masave të sigurisë, prokurori i çështjes tha se veprimet e të dyshuarve ishin dokumentuar përmes veprimeve simuluese. Agjentë nën mbulim të anti-drogës janë vënë në kontakt për blerje të dozave të lëndës narkotike. Sipas hetimit, të dyshuarit e kishin shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në 13 zona të Tiranës, përfshi ish-bllokun, Pazarin e Ri, Myslym Shyrin dhe Komunën e Parisit.  

Gjatë operacionit “Labirinti 2” u ekzekutuan 22 masa sigurie të marra në mungesë nga Gjykata e Tiranës. Pesë të tjerë janë arrestuar gjatë hetimeve, një tjetër u arrestua të premten, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3000 euro.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos