Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në gjyqin ndaj avokatit Radovan Çela, i akuzuar për korrupsion pasiv dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Prokurori Klodian Braho kërkoi dënimin e tij me 6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 4 vite.
Sipas akuzës, Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e disa zyrtarëve të drejtësisë, shkruan A2 CNN. Në seancën e ardhshme pritet që mbrojtja e Çelës të japë konkluzionet përfundimtare, ndërsa vendimi i gjykatës do të jepet pas kësaj faze.
Ndërkohë, për të njëjtën dosje, prokurori Braho ka kërkuar më herët edhe dënimin me 3 vite burg të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Vendimi për Zarkën pritet të shpallet nga GJKKO më 20 maj.
Çela u vetëdorëzua në polici më datë 5 mars, pasi ishte shpallur në kërkim kohë më parë. Ai ka qenë avokat i Alfred dhe Elvis Vladit, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3,4 milionë eurove në portin e Durrësit, pjesë e dosjes “Toyota Yaris”. (A2 Televizion)