Një person i identifikuar nga grupi hetimor ka qëlluar në ajër me armë zjarri në lagjen “Guerrile” në Shkodër teksa policia po zhvillonte një patrullim.
Personi që ka qëlluar më armë zjarri ka qenë pasagjer në një automjet. Fillimisht, policia i ka kërkuar drejtuesit të automjetit të ndalojë, por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar duke arritur të arratiset. Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit, bën me dije policia e Shkodrës.
Më tej, policia njofton se vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet. Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë për shtetasin B.B. i cili është në kërkim edhe për vepra të tjera penale.
Dyshohet se i kërkuar është i njohur për policinë dhe autoritetet e drejtësisë, pasi prej kohësh është në kërkim nga policia e Shkodrës. (A2 Televizion)