RENEA del duarbosh nga Dobraçi, në Fushë-Kuqe arrestohen dy të kërkuar nga SPAK

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
12 Dhjetor 2025, 15:19 | Kronikë

Policia e Shtetit ka zhvilluar dy operacione në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje. Forcat RENEA ushtruan kontrolle në Shkodër në zonën e Dobraçit me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim. Edhe pse operacioni i RENEA-s zgjati për disa orë nuk rezultoi efektiv dhe dolën duarbosh nga Dobraçi, pasi nuk u arrestua dhe shoqërua asnjë person me probleme me ligjin.

Ndërkohë një tjetër operacion është zhvilluar nga forcat operacionale në zonën e Fushë Kuqes, ku u arrestuan dy persona të shpallur në kërkim nga SPAK. Në pranga kanë rënë Alket alias Fred Xhixha 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe Elvin Mërlika 47 vjeç, banues në Mamurras.

Të dy personat ishin shpallur në kërkim që prej vitit 2022, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Gjatë kontrollit, forcat e posaçme operacionale gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje. Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb. Burime bëjnë me dije se policia kishte informacione se dy të arrestuarit dyshohet se po përgatiteshin të kryenin vrasje. Nga hetimet e SPAK në dosjen “Plumbi i Artë” u zbulua se dy të dyshuarit vepronin si vrasës me pagesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos