Rindizet zjarri në Poliçan, rrezikohen banesat, ndërhyn avioni “Canadair”

Nga Çaku Tafa
11 Gusht 2025, 18:19 | Kronikë

Rindizet zjarri në Poliçan, rrezikohen banesat, ndërhyn avioni

Një vatër zjarri e cila u vu nën kontroll gjatë orëve të natës është riaktivizuar sërish mesditën e sotme në qytetin e Poliçanit, duke rrezikuar dhjetëra banesa në fshatin Prokëçat. Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen me shpejtësi të flakëve, të cilat po përhapen në një terren të vështirë dhe të mbuluar me bimësi të dendur, pemë dhe shkurre.

Gjatë natës, në aksionin për neutralizimin e flakëve morën pjesë forcat zjarrfikëse të Poliçanit, Skraparit dhe Beratit, të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe një helikopter që ndërhyri përmes ajrit. Por, pavarësisht përpjekjeve, flakët janë rikthyer me intensitet më të madh dhe aktualisht paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për banorët dhe pronat e tyre, shkruan A2 CNN.

Për të ndjekur nga afër situatën në terren, paraditen e sotme në Poliçan mbërriti edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili po ndjek nga afër aksionin për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën digjitale të zonës. Përdoruesit raportojnë ndërprerje të internetit në të gjithë qytetin e Poliçanit, për shkak të dëmtimit të rrjetit në një zonë ku kalon infrastruktura e lidhjes.

Sipas informacioneve  për shkak të daljes jashtë kontrollit të flakëve, pak minuta më parë ka mbërritur edhe avioni “Aircanada” për shuarjen e zjarrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos