Rrahën për vdekje 63-vjeçarin në Vlorë, shpallen në kërkim 3 autorët

Nga A2 CNN
4 Prill 2026, 11:03 | Kronikë

Rrahën për vdekje 63-vjeçarin në Vlorë, shpallen

Tre persona janë shpallur në kërkim nga policia e Vlorës, pasi dyshohet se kanë dhunuar për vdekje një 63-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, në lagjen “Pavarësia 3” të qytetit bregdetar. A2 CNN raporton se autorët e dyshuar janë Anxhelo Ceci 31 vjeç, Xhafer Ngucaj 34 vjeç të dy banues në Vlorë dhe Eni Hysaj 23 vjeç, banues në Gjorm. Tre ayutorët dyshohet se kanë goditur me grushte 63-vjeçarin Ismail Aliaj dhe djalin e tij 24-vjeçar.

Si pasojë e dhunës, 63-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa i riu ka mbetur i plagosur.

Policia vijon punën për kapjen e autorëve, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i Policisë Vlorë

Goditën me grushte, duke i shkaktuar vdekjen 63-vjeçarit, shpallen në kërkim 3 shtetas.

Vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 03.04.2026, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit A. C., 31 vjeç, Xh. N., 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 23 vjeç, banues në Gjorëm.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. A., 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin I. A., 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi I. A. ka humbur jetën.

Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos