Ngjarja e rëndë ku nëna shtatzënë në muajin e shtatë humbi jetën së bashku me foshnjën e saj në autoambulancë duke e transportuar nga Pogradeci drejt Tiranës, tashmë është bërë objekt verifikimi i policisë dhe prokurorisë së rrethit gjyqësor të Korçës.
Pas fundit tragjik të 36 vjeçares, policia e Pogradecit ka referuar në prokurorinë e Korçës materialet për nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë për tre mjekë në institucionet shëndetësore të Pogradecit. Për një kirurge gjinekologe të maternitetit dhe për një tjetër kirurg dhe reanimator të spitalit bashkiak të Pogradecit. Hetimet ndaj tyre do të kryhen për veprën penale të neglizhencës në trajtimin mjekësor.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se e ndjera kishte shkuar për vizitë në maternitetin e Pogradecit pasi kishte dhimbje në pjesën e barkut. Pas ekzaminimit rezultoi se shqetësimet nuk kishin të bënin me shtatzëninë, por me një hemorragji të dyshuar të brendshme dhe për këtë arsye u dërgua në urgjencën e spitalit të Pogradecit.
Në këtë spital mjekët që asistuan nuk kishin mundësi të realizonin vetë ndërhyrje duke e orientuar drejt Tiranës. Për shkak se helikopteri nuk mund të fluturonte në kushtet e errësirës u vendos që transporti të bëhej me ambulancë. Por gjatë rrugës në afërsi të Elbasanit e ndjera nuk kishte më shenja jete.
Familjarët e 36-vjeçares kanë ngritur dyshime mbi vonesa në marrjen e vendimit për ta dërguar drejt Tiranës. Këto pretendime dhe natyrisht kartelat mjekësore të së ndjerës tashmë do të jenë objekt i hetimit të nisur nga Prokuroria e Korçës, e cila është në pritje edhe të rezultateve të autopsisë që është kryer në Tiranë.
(A2 Televizion)