Të paktën dy qytetarë në ditë denoncojnë në Policinë e Tiranës apo pranë Krimit Kibernetik se kanë rënë pre e mashtrimit kompjuterik.
Por, ka ditë që numri është edhe më i lartë, shkruan A2.
Gjithsesi, në 6 muajt e parë të vitit nëse shohim të dhënat e Policisë në kryeqytet ka një rënie të lehtë në krahasim me një vit me parë të rasteve që janë prekur nga mashtrimi kompjuterik: 219 nga janari deri në qershor. Nga 246 autorë të dyshuar, 108 janë ende në kërkim. Vetëm 26 janë arrestuar, ndërkohë që po procedohen në gjendje të lirë 112 persona.
Shifrat e 6 muajve të parë të 2024-ës flasin për 249 procedime, por numri i autorëve është ndjeshëm më i lartë një vit më parë, teksa bëhet fjalë për 381 persona. Rastet më shqetësuese vijojnë të mbeten mashtrimet online.
Rastet më të shpeshta lidhen me mashtrimet online përmes rrjeteve sociale, vjedhje të të dhënave bankare dhe hyrje të paautorizuara në llogari personale. Tre raste të tilla u denoncuan së fundmi në Tiranë. Dy djem dhe një vajzë kallëzuan për krijim të rremë të profilit në rrjetet sociale, ndërhyrje në adresën e email-it, si dhe keqpërdorim të videove personale.
Nuk kanë munguar as rastet kur policia ka identifikuar të rinj që nëpërmjet mashtrimeve kompjuterike apo hapjeve të një faqeje false në internet u kërkonin personave të ndryshëm të dhënat personale. Më pas, ata u përvetësonin shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet të dhënave, duke bërë edhe blerje online.
(A2 Televizion)