U zhvillua këtë të mërkurë seanca gjyqësore në ngarkim të deputetit demokrat Xhelal Mziu, i cili është paditur nga Agron Malaj për veprën penale të “Shpifjes e kryer botërisht”.
Avokati i deputetit demokrat Xhelal Mziu ka pretenduar në seancë se deklarata e dhënë nga klienti i tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ka qenë në cilësinë e drejtuesit politik të zonës dhe i është referuar informacioneve që atij i kanë ardhur nga strukturat.
Marash Logu i kërkoi prokurorisë së posaçme t’i vendosë në dispozicion informacionin se në çfarë faze ndodhet hetimi që ka nisur për ngjarjen në Maqellarë dy ditë para zgjedhjeve.
Ndërsa pala që mbron në këtë proces Agron Malajn, sot deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në periudhën kur ndodhi deklarata, kryebashkiak i Matit, ka pretenduar se ai nuk ka qenë fare në zonën e Maqellarës ditën kur pretendon Mziu.
Padia e Malajt erdhi pas një deklarate të bërë nga Xhelal Mziu një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku ky i fundit tha se një automjet po shpërndante para me qëllim blerjen e votave në favor të PS. (A2 Televizion)