Pasuritë e një të dënuari për vrasje të mbetur në tentativë, me vlerë 875 mijë euro, janë sekuestruar nga autoritetet, raporton A2 CNN.
Pasuritë e sekuestruara janë 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit Paris Prenga, ose të familjarëve të tij.
Prenga është dënuar me 19 vite burg për atentatin ndaj Artion Bylykut, kunatit të Domart Konjarit. Ky i fundit njihet si kundërshtari i Devi Kasmit, të mbetur të vrarë në vitin 2018.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan në kuadër të operacionit “Asset lock”, vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e 5 pasurive në pronësi të shtetasit P. P., 32 vjeç, i cili aktualisht po vuan dënimin, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, tha policia.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim veprimtarët kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)