Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë persona të akuzuar për shitjen e paketave televizive përmes piraterisë, duke dëmtuar interesat e kompanive ligjore të transmetimit si Digitalb, Tring dhe rrjete të huaja.
Të pandehurit F.Ç., A.V., E.Xh., A.S. dhe A.L. akuzohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, të parashikuara nga nenet 143/b dhe 149/a të Kodit Penal.
Hetimet nisën në vitin 2023, pas kallëzimit të kompanisë Digitalb, e cila denoncoi se në Tiranë dhe qytete të tjera funksiononin subjekte që shisnin paketa televizive piratike përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të komunikimit.
Sipas provave të mbledhura nga Prokuroria, në bashkëpunim me Seksionin Kundër Krimit Ekonomik, këta persona mashtronin qytetarët duke u prezantuar si përfaqësues të ligjshëm të platformave televizive. Ata përdornin pajisje dekodimi që lejonin transmetimin e kanaleve pa licencë, ndër to “Top Channel”, “TV Klan”, “BBV1”, “BBV2”, si edhe kanale të huaja të rrjeteve Sky dhe Tring, shkruan A2 CNN.
Përmes veprimeve simuluese të blerjeve, hetuesit zbuluan se paketat shiteshin me çmime nga 3.500 deri në 10.000 lekë, ndërsa pagesat kryheshin në dorë ose përmes korrierëve privatë. Disa subjekte vepronin me emra tregtarë si “Unik Shop”, “Elektronikashop.al”, “4K Server (Kanale.al)” dhe “Lila Shop”. (A2 Televizion)