Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Bulevardi”, duke vënë në pranga një 22-vjeçar që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Kamzës.
Në pranga u arrestua E. P., 22 vjeç, banues në Valias, i cili u kap në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamëz. Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, policia i gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, një automjet dhe një aparat celular që shërbente për komunikim me klientët, shkruan A2 CNN.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pas një pune disa javore hetimore që kishte si qëllim goditjen e shpërndarjes së drogës në zonat urbane të kryeqytetit. (A2 Televizion)