Një person i maskuar vendosi një sasi tritoli në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, në derën e garazhit të makinës, në pronësi të Elvis Kosovës. 39-vjeçari, i njohur si "Visi i garave", apo "Visi i makinave të shpejta" është një emër i njohur për policinë dhe person me precedent penal.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar në njerëz, por u dëmtuan 4 automjete që ishin të parkuara në rrugë. I marrë në pyetje nga grupi hetimor, Kosova ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri.
Nga kamerat e sigurisë është vërejtur se autori është një person i vetëm dhe i maskuar. Pasi vendos lëndën plasëse largohet në këmbë prej andej. Policia dyshon se tritolvënia mund të jetë një mesazh paralajmërues apo kërcënues për 39-vjeçarin për shkak të konflikteve të mundshme të tij me persona të tjerë.
Elvis Kosova është liruar nga qelia pak ditë më parë, pasi në gusht të vitit të kaluar ishte arrestuar për vjedhjen e një Audi R8 me vlerë rreth 200 mijë euro. Kjo makinë fillimisht ishte sjellë nga Gjermania nga një shtetas turk, edhe ai i arrestuar dhe më pas ishte përvetësuar nga Kosova nëpërmjet manipulimit. (A2 Televizion)