Policia e Kukësit ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri. Në operacionin e koduar “Kalibri”, u vunë në pranga dy shtetas kosovarë dhe u sekuestruan 8 armë zjarri të tipit pistoletë.
Ata u kapën në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, ku gjatë kontrollit në automjet iu gjetën 8 armë zjarri pistoleta.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar. Për shkak të hetimit Policia nuk i bën të ditur të dhënat e tyre, ndërkohë që vijon puna për kapjen e tyre.
Njoftimi i Policisë Kukës
Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Sekuestrohen 8 armë zjarri pistoleta.
Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë që i kishin trafikuar armët nëpërmjet kufirit jeshil me Kosovën, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në trafikimin e armëve dhe të shtetasve që do të blinin armët, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për shkak të hetimit.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren.
Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarrri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar. Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)