
Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka dhe deputeti Xhelal Mziu janë proceduar penalisht në Prokurori, lidhur me veprimet në protestën e opozitës më 20 shkurt.
Noka dhe Mziu u përplasën me dy punonjës policie të veshur civilë, duke i akuzuar se qëndronin pranë selisë blu për të arrestuar personat që kishin marrë pjesë në protestë, raporton A2CNN.
Gjatë momenteve të përplasjes Noka do të shprehej: “Janë horra që rrëmbejnë, dhunojnë qytetarët që protestojnë. Efektivë policie civilë, që dalin për gjueti. Mendojnë se do shantazhojnë. I kemi kapur duke rrahur qytetarë në rrugë”.
Në njoftimin e bërë sot nga Policia e Tiranës thuhet: “Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. N. dhe Xh. M., pasi ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit K. M. dhe T. T. se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej tyre”. (A2 Televizion)