25-vjeçarja Xhuana Nikolli nga Lezha, një ditë më parë, ndërroi jetë në QSUT si pasojë e vetëhelmimit me fostoksinë. Por pas hetimeve nga policia, ngjarja ka marrë një tjetër rrjedhë.
Pas vdekjes së 25-vjeçares, familjarët e të ndjerës kanë bërë kallëzim në komisariatin nr. 2 në Tiranë ndaj ish-bashkëshortit të saj, me pretendimet se ky i fundit e dhunonte.
Në polici, familjarët kanë pretenduar se në trupin e të resë janë konstatuar edhe shenja dhune, por pritet ekspertiza mjekoligjore për ta vërtetuar.
Ish-bashkëshorti i të ndjerës, 25-vjeçari Eraldo Fizi, është shpallur në kërkim për veprat penale të dhunës në familje dhe shkaktimit të vetëvrasjes.
Zyrtarisht, policia e Tiranës njofton se 25-vjeçari është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të resë, veprim i cili dyshohet se është bërë shkak që e reja të konsumojë fostoksinë dhe, për pasojë, ka humbur jetën në spital. Policia ka kryer kontrolle në banesën e tij në Lezhë, por nuk është gjetur ende.
E ndjera Xhuana Nikolli është me origjinë nga Lezha dhe jetonte në Shëngjin. Ajo kishte studiuar për drejtësi, ndërsa në verën e vitit 2025 ishte martuar me 25-vjeçarin, por pas 3 muajsh ishin divorcuar.
Një ditë para se të vetëflijohej, dyshohet se Xhuana Nikolli është ndeshur me ish-bashkëshortin e saj, i cili dyshohet se i ka shkuar në banesën në Tiranë.
Para se të ndërmerrte aktin e vetëflijimit, e reja dyshohet se i ka lënë një letër prindërve, ku shprehej se nuk donte t’i bënin më keq ata njerëz që i kishin bërë keq. Në fund të letrës, 25-vjeçarja i kërkon ndjesë prindërve të saj për aktin ekstrem që po ndërmerrte. (A2 Televizion)