Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 65-vjeçar i cili vodhi në një lokal, çantën e një klienti në të cilën ndodhej një shumë eurosh. Efektivët kapën autorin si edhe gjetën të fshehur në një rrugicë në afërsi të lokalit, çantën me shumën e eurove, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një shtetasi, se në një lokal në rrugën “Mihal Duri”, i kishin vjedhur çantën me një shumë eurosh në të, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 identifikuan dhe kapën autorin e dyshuar të vjedhjes, shtetasin A. G., 65 vjeç.
Gjithashtu, gjetën të fshehur në një rrugicë përgjatë Rrugës së Durrësit, çantën me shumën e eurove, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Gjithashtu po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer nga 65-vjeçari
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)