Vrasja e Anesti Ramës nga vajza dhe gruaja, flet Kryeplaku i fshatit: Nuk e trajtonin mirë, donin të shikonin telenovela në shtëpi dhe ai të punonte

Nga Çaku Tafa
25 Korrik 2025, 15:29 | Kronikë

Kryeplaku i fshatit Frashër, Irakli Zarka, tregon i tronditur se si e mësoi ngjarjen e rëndë të krimit në familje , ku fillimisht i kishin thënë se Anesti Rama, kish pësuar infarkt dhe kish ndërruar jetë. Ai tregon se Anesti Rama, ka jetuar gjithmonë në kushte tepër të vështira ekonomike, duke filluar si bari i një tufe me dhi, si punëtor krahu për disa vite në Greqi , e për të përfunduar si punonjës i një ferme blegtorale në zonë.

Nuk kishte jetë sociale tregon kryeplaku Zarka, dinte vetëm punë dhe shtëpi , ku trajtohej shumë keq nga bashkëshortja Valbona dhe e bija Ermalinda. E linin pa ngrënë dhe donin ta ndiqnin nga shtëpia teksa tregon se trajtohej dhe me ndihme ekonomike 3 mijë lekë në muaj.

“Më tha i plotfuqishmi i zonës që ishte mbytur nga gruaja dhe çupa”, thotë Zarka. “Nesti ka qenë djalë i urtë, punëtor, punonte. Qe ca kohë në Greqi, punoi atje. Kurse këto nuk e trajtonin mirë. Më ankohej, më thoshte gjithnjë që nuk e trajtonin mirë. Nuk i jepnin për të ngrënë. I thoshin që të ikte nga shtëpia. Kam vajtur edhe unë, edhe policia disa herë. Ishin të pabindura. Na ka ardhur shumë keq”, thotë Zarka.

Ai thotë se disa herë kishte folur me zyrën e punës për t’i gjetur punë vajzës dhe nënës, por ato nuk donin të punonin. “E kishin mendjen vetëm të qëndronin në shtëpi, të shikonin telenovelat dhe të punonte Nesti”, thotë ai.

Zarka pohon gjithashtu se pavarësisht se ai keqtrajtohej vazhdimisht, nuk është i habitur për mënyrën se si ia morën jetën pasi nga ato të dyja gjithçka pritej.

Ndërkohë i ndjeri është përcjellë sot për në banesën e fundit ndërsa vajza tjetër, e ardhur nga Italia mes dhimbjes jashtë kamerës thotë se kjo derë u mbyll përgjithmonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos