Vrasja në Korçë, zbulohet emri dhe foto e autorit të dyshuar

Nga A2 CNN
8 Gusht 2026, 19:24 | Kronikë

Vrasja në Korçë, zbulohet emri dhe foto e autorit të

Joan Zyko, 20 vjeç, u ekzekutua me kallashnikov në Korçë këtë të shtunë nga shoku i tij i fëmijërisë, Kristjan Sterjo. A2 CNN ka siguruar foton e autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili sipas Policisë, është larguar pas krimit.

Sipas dëshmive paraprake, Zuko ka tentuar t’i largohet autorit duke u futur në një zonë me pallate, por është zënë në pritë pranë hyrjes së një pallati. Sapo viktima është bllokuar në mes të pallateve, pa rrugëdalje, autori ka qëlluar ndaj Zukos, duke e lënë të vdekur.

Viktima dhe autori mësohet se janë rritur bashkë dhe një konflikt i mbartur prej kohësh mes tyre dyshohet se ka çuar në ngjarjen e rëndë.

Policia ka shoqëruar në Komisariat tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.

Zv.drejtori i Hetimit të Krimeve, drejtues Sejfulla Metko, dha detajet pas ngjarjes. “Rreth orës 16:30 në lagjen 15 në qytetin e Korçës kemi marrë njoftim për një ngjarje kriminale ndodhur. Konflikti ka qenë midis dy grupe personash ku si rezultat ka agravuar ngjarja me një viktimë i cili është shtetasi me inicialet J.Z. Kemi një person të dyshuar. Forcat janë vënë në ndjekje. Në një moment të dytë do kemi një informacion më të saktë për lidhje me autorin”, tha ai.

“Konflikti ka ndodhur në orën rreth orës 14:00. Ka ndodhur në një lagje në afërsi ku është vendi i ngjarjes. Më pas ka precipituar në afërsi të banesës së viktimës dhe ku kemi pasur përdorimin e armës së zjarrit. Më pas autori është ngjitur në rreth 15 minuta, është parë nga dëshmitarë okular që ka shkuar në drejtim të varrezave. Jemi vënë në ndjekje të tij dhe më pas do japim një informacion të saktë për autorësinë e saktësi. Viktima është vrarë me armë kallashnikov. Gjithashtu viktima ka pasur në dorë një armë të ftohtë, thikë. Konflikti ka qenë i mbartur nga disa kohë më parë”.

I dyshuari rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa policia po komunikon me familjarët e tij për ta bindur të dorëzohet.

Sipas të dhënave paraprake, 20-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe nuk kishte pasur probleme të mëparshme me ligjin, çka dëshmohet edhe nga prania e tij në radhët e Forcave të Armatosura.

Joan Zuko prej më shumë se një viti punonte në Forcat e Armatosura. Mësohet se rreth dy muaj më parë kishte lënë detyrën, pasi do të shkonte te vëllai i tij në emigrim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos