Vrasja në Vlorë, merret në pyetje bashkëjetuesja e viktimës dhe 10 të tjerë, autori dyshohet të ketë lëvizur në këmbë

Nga Edi Ruçi
28 Prill 2025, 09:24 | Kronikë

Vrasja në Vlorë, merret në pyetje bashkëjetuesja e

Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj ende vazhdon të mbetet e mbushur me mister. 24 orë pas ngjarjes, policia e Vlorës ende nuk ka asnjë detaj në lidhje me autorin ose autorët, shkruan A2 CNN. Menjëherë pas ngjarjes, janë marrë në pyetje rreth 10 persona. Ata kanë qenë kryesisht familjarë, të afërm të tij, komshinj dhe kolegë. Por dëshmitë e tyre në komisariatin e Vlorës nuk kanë dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm; ata thjesht kanë pohuar se viktima ishte një njeri pa probleme dhe nuk kishte pasur konflikte me askënd. Edhe nga banorët e zonës njihej si njeri pa probleme.

Ndërsa në dëshminë e saj, bashkëjetuesja ka treguar vetëm se si e ka gjetur të vrarë dhe ka njoftuar policinë. Askush nga banorët nuk ka parë personat që kanë kryer krimin.

58-vjeçari është goditur nga shumë pranë. Fillimisht në trup, për ta penalizuar që të mos lëvizte, dhe më pas dy herë në kokë me armë zjarri, pistoletë. Momentalisht dyshohet se kemi të bëjmë vetëm me një person që ka kryer krimin. Ai ka hyrë nga një rrugicë pas pallatit ku 58-vjeçari punonte, duke i dalë këtij të fundit përballë. Nuk përjashtohet mundësia që personi që ka kryer krimin të jetë ndihmuar me informacione të bollshme rreth lëvizjeve dhe vendndodhjes së tij.

Pistat kryesore të hetimit janë konfliktet e mundshme së fundmi dhe përfshirja në ndonjë ngjarje. Dyshohet se autori ka lëvizur në këmbë dhe e njihte mirë terrenin dhe itinerarin. Mendohet të jetë larguar në një tjetër rrugicë, gjithashtu në errësirë të plotë dhe pa kamera sigurie, pas banesës së 58-vjeçarit, që të nxjerr në lagjen pranë. Janë sekuestruar DVR-të dhe dhjetëra kamera sigurie, të cilat po analizohen. Pritet të shihet nëse prej tyre do të nxirret ndonjë detaj.

58-vjeçari jetonte i vetëm në shtëpi. Ishte babai i dy fëmijëve të rritur. Gruaja e tij e parë jetonte në Itali dhe shpesh fëmijët vinin për ta takuar. Prej kohësh jetonte me një bashkëjetuese të dytë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos