
Policia ka shpallur në kërkim një 30-vjeçar, të identifikuar si Emilian Nikolli, alias Lleshi, i cili akuzohet për disa grabitje me armë. 30-vjeçari rezulton person me precedentë të theksuar kriminal në disa fusha.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Ends”, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras”, tha policia.
Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka vjedhur automjetin taksi me të cilin lëvizte, pasi ka kanosur me armë zjarri, drejtuesin e saj.
Më pas, dyshohet se ka lëvizur me automjetin e vjedhur në drejtim të qytetit të Laçit, ku në dy karburante, iu ka marrë punonjësve, shuma parash dhe sende personale, duke i kanosur ata, me armë zjarri.
Punohet për kapjen e 30-vjeçarit, për dokumentimin e këtyre rasteve dhe të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)