Zbulohen abuzime në bashkinë e Fierit, ish-nënkryetarja dhe zyrtarë të tjerë në arrest shtëpie

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 08:27 | Kronikë

Zbulohen abuzime në bashkinë e Fierit, ish-nënkryetarja dhe

Një operacion i befasishëm i koduar “Parking”, i zhvilluar në orët e vona të mbrëmjes së kaluar nga Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Policinë Vendore, ka çuar në vendosjen e masave të sigurisë për katër funksionarë aktualë dhe ish-funksionarë të Bashkisë Fier.

Në qendër të hetimeve është vendosur çështja e mosfiskalizimit të parkimit nëntokësor që administrohet nga bashkia, nga ku dyshohet se është shmangur arkëtimi i rreth 40 milionë lekëve në buxhetin vendor, shkruan A2 CNN.

Pas një hetimi disa mujor nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, u ekzekutuan këto masa:

·         Arrest në shtëpi për Adela Hysenaj, 34 vjeçe, ish-Drejtoreshë e Taksave dhe Urbanistikës dhe ish-nënkryetare e Bashkisë Fier, për akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”.

·         Arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra për Vasil Cekun, 41 vjeç, drejtor në Drejtorinë Tatimore Rajonale të Fierit, për “Shpërdorim detyre”.

·         Pezullim nga detyra për Anisa Cjapin, 38 vjeçe, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, për “Shpërdorim detyre”.

·         Pezullim nga detyra dhe ndalim dalje nga vendi për Martin Dodin, 57 vjeç, sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Fier, për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.

Sipas hetuesve, këta zyrtarë, nëpërmjet moszbatimit të ligjit për kasat fiskale dhe ndërhyrjeve në përllogaritjet e taksave vendore, kanë favorizuar subjekte të ndryshme private, duke shkaktuar humbje financiare për bashkinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos