Zjarri i ndezur prej tij shkrumboi stane dhe pyje, arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë

Nga A2 CNN
12 Gusht 2025, 10:40 | Kronikë


Të tjera arrestime janë bërë nga policia për zjarrvënie të qëllimshme. Në Tepelenë pasi flakët shkrumbuan 5 stane, bagëti dhe mjedise pyjore në 2 fshatra, policia vuri në pranga një 40-vjeçar, që dyshohet se ndezi fillimisht zjarrin në një tokë të marrë me qira.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se  në zonën e pyllëzuar midis fshatrave Kodër dhe Lekël, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në fshatin Kodër. 40-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pemë frutore, 5 stane me bazë ushqimore për bagëti dhe 3 krerë bagëti të trasha”, njofton policia.

Blutë e Tepelenës sqarojnë më tej se prej mëngjesit të djeshëm kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët. Ndërkaq, shërbimet zjarrfikëse, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Mbi 40-vjeçarin e arrestuar rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos