“12 burra të zemëruar” për drejtësinë dhe paragjykimet

Nga A2 CNN
16 Prill 2025, 18:08 | Kulturë

Sallën e teatrit e gjetëm plot. 400 vende, por më shumë se 400 individë që duan të shohin “12 burra të zemëruar” që përpiqen të marrin një vendim në unanimitet.

Karaktere të ndryshme, mosha dhe profesione aspak të ngjashme me tjetrin, 12 burra mblidhen në një nga sallat e sistemit të drejtësisë si anëtarët e një jurie që duhet të vendosin për një ngjarje të rëndë që analizohet në apel. Një djalë 16-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, është shpallur fajtor nga gjykata. Drama e sallës së gjyqit “gërmon” edhe në përvojat personale, diskriminimin dhe paragjykimet që pengojnë jo vetëm individët të gjykojnë drejtë e të paanshëm, por edhe sistemin e drejtësisë.

Një temë që prek jo vetëm shoqërinë shqiptare, por edhe individin. Nëse e dini atë shprehjen “nuk i bën dot dy shqiptarë në një mendje”, kjo vepër teatrale rijetëzuar nën konceptin e regjisorit Albert Minga do t’ju mësojë si bëhen bashkë 12 karaktere kur mësojnë të dëgjojnë e të respektojnë njëri-tjetrin pa paragjykuar, si mund të jemi vendimmarrës e të drejtë njëkohësisht në një shoqëri demokratike.

Mënyra si arsyeja, logjika dhe dhembshuria mund të ndikojnë në çdo proces të jetës e jo vetëm gjyqësor, vjen e rrëfyer nga 12 burra, aktorë të njohur të skenës teatrale dhe një zonjë që ndërhyn herë pas here për të vëzhguar procesin.

Regjisori Albert Minga ka zgjedhur në kast aktorët Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, Ligoraq Riza, Florian Agalliu, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Igli Zarka e Doriana Çaushi.

Niko Kanxheri rikthehej në skenë pas shumë vitesh e emocionet, po aq sa edhe përpjekjet, i ka të mëdha. Duartrokitjet janë për të gjithë ata që në këtë rrugëtim kapërcyen paragjykime, dëgjuan mendimin e tjetrit, u përpoqën të ecnin në këpucët e shokut, diskutuan dhe vendosën, vendosën të falin veten para se të shpëtojnë djalin, adoleshentin, drejtësinë dhe shtetin përmes demokracisë dhe lirisë së fjalës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos