Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është shpallur zyrtarisht pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar Memory of the World nga UNESCO. Ky është një nga vlerësimet më të larta për trashëgiminë kulturore dhe një nder i madh për Shqipërinë.
Në zemër të Shkodrës, kjo pasuri e rrallë fotografike ka përjetësuar imazhin, jetën dhe shpirtin e shqiptarëve ndër shekuj. Vlerësimi i UNESCO-s nderon jo vetëm familjen Marubi – themeluesit e fotografisë shqiptare – por edhe qytetin e Shkodrës, që i dha jetë artit dhe kujtesës kombëtare, shkruan A2 CNN.
"Për herë të parë, Shkodra bëhet pjesë e kujtesës botërore, duke marrë një vend të merituar në historinë globale të trashëgimisë kulturore. Kjo arritje i jep dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike që na bën të gjithëve krenarë!
Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore!
Nga zemra e Shkodrës kjo pasuri e rrallë fotografike që ka përjetësuar imazhin, jetën, historinë dhe shpirtin e shqiptarëve, merr sot vlerësimin më të lartë ndërkombëtar!
Ky nuk është thjesht një vlerësimin i kontributit të Marubëve, themeluesve të fotografisë shqiptare, por edhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit, kulturës dhe kujtesës së një kombi.
PËR HERË TË PARË, Shkodra ka një pjesë të sajën në Kujtesën e Botës!
KRENARË pa fund për këtë arritje që i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike!", njofton Ministria e Kulturës. (A2 Televizion)