Shkarkimi i drejtorëve dhe "fshikullimi" i Ramës ndaj bashkisë Vlorë? Dredha: Kemi bërë analizë të thellë

Nga A2 CNN
7 Korrik 2025, 20:40 | Politikë

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha në “Ditarin Qendror” me Loneta Prognin, në A2 CNN i dha përgjigje disa pyetjeve lidhur me raportin e tij me kryeministrin, pasi edhe sot Edi Rama u pa teksa debatonte me të gjatë vizitës në lagjen Muradie, në lidhje me lirimin e hapësirave publike në qytetin bregdetar.

I pyetur nëse shkarkimi i 21 drejtorëve të Bashkisë Vlorë me një të rënë të lapsit, pas kritikave nga kryeministri ishte i drejtë, Dredha tha se kërkesa e bërë prej tij për dorëheqjet e tyre erdhi pas një analize mbi punën në qytet.

“Ne bëjmë më të mirën për qytetin dhe kërkojmë më të mirën për qytetin nga gjithë ajo skuadër e madhe që ka Administrata e Bashkisë. Nëse thirrjet kanë qenë të shpeshta për të vendosur piketat, qoftë edhe pjesën organizative apo përditshmërinë e punës që bëjnë kushdo nga drejtuesit në Administratën e Bashkisë, normal që kemi bërë një analizë dhe shikojmë që ka gjëra që mund të bëhen shumë herë më mirë. Kjo nuk do të thotë që ne duam të djegim edhe të njomin me të thatin”, tha Dredha në “Ditarin Qendror” me Loneta Prognin, në A2 CNN.

Në vijim, Dredha shtoi se vijon analiza e thellë në këtë drejtim, “me qëllim që edhe të mos gabojmë”.

“Nuk është pushuar asnjëri nga puna, por është kërkuar një dorëheqje, edhe nga ana ime dhe të gjithë e kanë përqafuar, nuk diskutohet. Dhe pastaj do të shohim si do të realizohet deri në fund, patjetër duke respektuar edhe të gjitha ligjet në fuqi”, theksoi kryebashkiaku i Vlorës.

Dredha me diplomaci iu përgjigj edhe pyetjes në lidhje me “mallkimin” që zë kryetarët e Vlorës, duke nisur me Shpëtim Gjikën e Dritan Lelin, e tanimë deri tek ai vetë, ku duket se kryeministri ia ka “tërhequr veshin” për dështimin e administratës lokale.

Ndoshta duhet ta kishit bërë ndryshe pyetjen... Pse me Vlorën, jo pse me kryebashkiakët e Vlorës. Sepse ka një dashuri dhe ndjesi shumë të madhe për Vlorën kryeministri i vendit. Ju e dini që kur filloi transformimi i gjithë Shqipërisë ishte zanafilla nga Vlora. Duke filluar me Lungomaren që unë përmenda, është bërë një punë kolosale, në 10 vitet kohë janë investuar gati 600 milionë euro për Vlorën dhe patjetër të gjitha ato investime duhet të mbajnë të njëjtin standard që nga minuta e parë kur janë vendosur në jetë. Dhe kjo besoj e justifikon më së miri dhe këtë merak që ka kryeministri i vendit për Vlorën, pasi shikon edhe potencialin e madh që ka ky qytet për të ardhmen”, tha Dredha në “Ditarin Qendror” me Loneta Prognin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos