"Nxënësit shqiptarë, kuriozë dhe të angazhuar", Kumbaro në panelin ministror të PISA: Duam më shumë hapësira ku fëmijët mund të shkëlqejnë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2026, 09:51 | Politikë

"Nxënësit shqiptarë, kuriozë dhe të

Rezultatet e PISA 2025 u prezantuan në Bratislavë, gjatë ministerialit të vendeve të OECD, ku Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ishte e ftuar në një prej paneleve të diskutimit, së bashku me përfaqësues të vendeve të tjera, për të diskutuar mbi gjetjet e PISA 2025 dhe sfidat aktuale të arsimit.

Një prej temave të ngritura gjatë panelit ishte qëndrimi pozitiv i nxënësve shqiptarë ndaj të nxënit, ku të dhënat e PISA evidentojnë për nxënësit shqiptarë nivele të larta kurioziteti, këmbënguljeje përballë detyrave të vështira dhe bindjeje se arsimimi ia vlen.

E pyetur nga nënsekretari i Përgjithshëm i OECD, František Ružička, mbi këto gjetje, se si arrin sistemi arsimor shqiptar t’i kultivojë dhe t’i mbajë gjallë këto qëndrime pozitive të të rinjve ndaj të nxënit, ministrja Kumbaro u përgjigj: “A e shohin fëmijët shkollën vetëm si vendin ku marrin një notë, apo si vendin ku zbulojnë se në çfarë janë të zotët?”

Sipas saj, reforma kurrikulare e cila do të vijojë deri në vitin 2029, synon ta lidhë më fort të nxënit me botën ku jetojnë fëmijët, ndërsa aktivitetet jashtë kurrikulës u japin nxënësve më shumë mundësi për të zbuluar aftësitë e tyre. Kjo shkon krah për krah me gjithë aktivitetet që organizon Ministria e Arsimit për nxënësit. Kumbaro përmendi Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, Festivalin e Shkencës, olimpiadat kombëtare dhe investimin në sport, ku aktualisht rreth 11 mijë fëmijë janë përfshirë në ekipet e volejbollit dhe basketbollit, shkruan A2.

“Duam të krijojmë më shumë hapësira ku fëmijët mund të kenë sukses”, u shpreh Kumbaro, duke shtuar se një fëmijë mund të mos jetë më i miri në matematikë, por mund të shkëlqejë në art, sport, gjuhë apo teknologji. “Ne duam që çdo fëmijë të ketë të paktën një moment në shkollë kur të mund të thotë: ‘Kjo është aftësia ime dhe unë jam i zoti në këtë fushë”, tha ministrja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos