
Kryeministri Edi Rama, në një video në Facebook, tha se Shqipëria “ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme” në lidhje me rezultatet e “PISA 2025”.
“Dje morëm një rezultat, një dëftesë për të cilën kemi punuar shumë fort për një vit të tërë për të adresuar realisht aty ku duhet të gjitha pikat e nevojshme. Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, është një dëftesë që u takon atyre që janë drita e syve të këtij vendi, nxënësve tanë. Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025. Një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim. Jo vetëm kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çoroditjeje që shkaktoi COVID, ku të gjitha vendet ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme, që na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshme rritjeje të butë, por konstante. Sot jemi faktikisht të parët në rajon. Të parët në rajon duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor”, tha Rama, shkruan A2.
Rama shtoi se “shkolla e drejtorëve është një histori e qartë suksesi”.
“Është një rezultat fantastik dhe inkurajues, një rezultat që flet për punën shumë të mirë të bërë nga Ministria e Arsimit dhe ndjehem shumë mirë. Shqipëria del e para në rajon në një test të së ardhmes”, theksoi Rama.
(A2 Televizion)