
Ambasadori i Suedisë në Shqipëri u shpreh sot nga Pogradeci se vendi i tij mbetet një nga përkrahësit më të fortë të integrimit europian të Shqipërisë, duke nënvizuar se progresi i deritanishëm ka qenë “fantastik”. Gjatë vizitës në qytetin liqenor, diplomati suedez u takua me kryetarin e bashkisë dhe diskutoi mbi ecurinë e kapitujve të BE-së dhe detyrimet që bashkitë shqiptare duhet të përmbushin në këtë proces.
“Jam i lumtur që jam këtu në Pogradec, një qytet shumë i bukur dhe pjesë e rëndësishme e Shqipërisë. Folëm për kapitujt e BE-së dhe punët që bashkitë duhet të bëjnë. Suedia e mbështet Shqipërinë, si qeverinë lokale, ashtu edhe atë qendrore”, deklaroi ambasadori, duke shtuar se aktivitetet kulturore, si shfaqja e një filmi suedez në Pogradec, ndihmojnë në forcimin e njohjes dhe afërsisë mes dy vendeve, shkruan A2 CNN.
Sa i përket procesit të integrimit europian, ai theksoi se Suedia është e interesuar që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, por thelbi qëndron te reformat: “Shqipëria ka një ambicie të fortë dhe ne jemi gati ta mbështesim. Është në dorën e Shqipërisë për të kryer reformat e duhura”.
I pyetur nëse Shqipëria shihet si një “kalë troje” për standardet demokratike të BE-së, ambasadori u distancua nga ky koncept: “Nuk e përdor këtë terminologji… ne punojmë me Shqipërinë për disa kapituj dhe është e rëndësishme të vazhdojë përparimi”. (A2 Televizion)
