“Diella nuk është një lodër”. Pasi bëri një ministre virtuale të inteligjencës artificiale, kryeministri Edi Rama në Kongresin për Nanoteknologjinë, e sheh të ardhmen me sytë e avatarit të tij. Nga një vend me probleme ndër vite në kërkime shkencore, Rama synon ta bëjë Shqipërinë një vend udhëheqës të shkencës inovatore të teknologji në rajon. Ky investim nis me Diellën, me të cilën pretendon që do të ulë korrupsionin dhe të rrisë transparencën në sistem, një fenomen negativ i përmendur edhe në raportin e fundit të DASH.
“Përmes saj ne kemi shndërruar atë çfarë ka qenë domeni i së mjegulltës në një algoritëm transparent për të shndërruar pushtetin e shtetit, në pushtetin e shërbyesit. Në fakt jemi të bindur që herët më shumë se sa vonë do të jemi në gjendje që të ofrojmë përmes Diellës, një instrument të jashtëzakonshëm për t'i bërë tenderat publikë, të hapur e transparent e me integritet, siç nuk është parë më parë. Shqipëria është një vend që guxon dhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale është një shtyllë themelore e qeverisjes, jo thjesht një instrument, është pra përparësi e jona kyçe dhe vizioni ynë kombëtar për Shqipërinë e 2030 në Bashkimin Europian, besoj është shumë i qartë, shumë qartësisht i rrënjosur në integritet, novacion dhe udhëheqje shkencore”, u shpreh Rama.
Inteligjenca artificiale është një nevojë e së tashmes, u shpreh kryeministri Rama. Për këtë arsye sipas tij do të ketë investime nga qeveria në arsim për nxjerrë nga sistemi në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, shkencëtarë inovatorë të teknologjisë. Një projekt i dekadës tjetër.
“Vizioni ynë është që brenda dekadës tjetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes, të mund ta bëjë këtu në shtëpi. Ne do të kërkojmë partneritete me universitetet europiane dhe institutet kërkimore, duke u siguruar që kurrikula jonë të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare. Shqipëria është shumë e angazhuar që çdo euro e investuar në shkencë, të përkthehet në përparim të prekshëm në llogaridhënie dhe në mundësi për të rinjtë tanë”.
Në këtë takim Edi Rama kishte marrë me vete edhe krijesën e tij politike.
“Unë jam Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri”. (A2 Televizion)