Seanca plenare e kësaj të hëne u shfrytëzua nga ana e socialistëve për të promovuar protagonistët e rinj të debatit parlamentar. Zegjine Çaushi dhe Sara Mila morën stafetën e replikës me opozitarët, të cilët kërkuan përsëritjen e seancës plenare për shqyrtimin e programit analitik të qeverisë.
Një përplasje e re politike shënoi seanca plenare e Kuvendit. Akuzat tashmë të zakonshme të deputetëve të opozitës gjetën në sallën e Parlamentit reagimin e vajzave socialiste.
Demokratët bënë një interpretim të tyrin të rregullores së Kuvendit, duke folur të gjithë me radhë e duke kundërshtuar mënyrën se si Niko Peleshi drejton seancat plenare. Por, si replikë nuk morën fjalët e xhaketave të vjetra, por të vajzave socialiste, shkruan A2.
Niveli i akuzave arriti pikun kur në emër të demokratëve foli Flamur Noka. Në foltoren e Kuvendit ai risolli akuzat e Sali Berishës për një takim në ishullin e Arubës të dy ministrave me përfaqësues të botës së krimit.
Akuzat e demokratëve nuk trembën socialistët. Në emër të tyre, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i sfidoi që akuzat t’i shoqërojnë me emra konkretë.
“Nuk janë këto ministra që janë tani, por ata që ishin përpara”, u përgjigj Noka.
Debati 120 minutësh nuk kishte lidhje me rendin e ditës, i cili parashikonte vetëm votimin e kalendarit të punimeve. Në momentin e votimit opozita braktisi sallën, si një vendim spontan, dhe jo të konsultuar më parë, pasi jo të gjithë e dinin se duhej bojkotuar votimi.
Boshatisja e sallës nuk impaktoi votimin, pasi socialistët i kishin votat për të miratuar kalendarin dhe programin e punës, ku pas këtij akti, i hapet rruga të 11 komisioneve parlamentare që të nisin me shqyrtimin e projektligjeve të depozituara nga qeveria. (A2 Televizion)