Opozita nuk është dorëzuar përballë mazhorancës. Këtë pohoi Sali Berisha, një ditë pasi shumica parlamentare vendosi që të miratojë programin politik dhe përbërjen e kabinetit qeveritar, duke mbyllur seancën parlamentare pa debat.
“Opozita e ka shumë të qartë se me këtë narkoqeveri, që ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, ka vetëm luftë frontale me të gjitha format e saj, në parlament, jashtë parlamenti dhe ne do i përgjigjemi dhëmb për dhëmb të gjithë kësaj përpjekje për të shtypur pluralizmin në Shqipëri”, tha Berisha.
Pavarësisht përballjes me mazhorancës në Kuvend, duket se ndryshe është situata në Këshillin Bashkiak. Berisha pohoi se do të votojnë pro shkarkimit të Veliajt, duke bashkuar votat me PS-në, ndonëse ai e sheh në krahun e kundërt spostimin e qasjes politike, kur nënvizon se ishte mazhoranca ajo që erdhi në qëndrimin e opozitës, shkruan A2 CNN.
“Qytetarët janë dëshmitarë se në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, këshilltarët e PD kanë kërkuar, kanë insistuar për shkarkimin e menjëhershëm të Erion Veliajt. Dhe në qoftë se Edi Rama vendos të bashkojë votat me opozitën për shkarkimin e tij, ne natyrisht nuk mund të mos votojmë për plotësimin e asaj kërkese që ne e kemi bërë në çdo mbledhje të këshillit bashkiak”.
I pyetur nëse PD po qartësohet mbi kandidaturën që do të vendosin përballë Ogerta Manastirliut, Berisha pohoi se ende nuk kanë vendosur se si do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme vendore për Bashkinë e Tiranës, të vetëm apo do kërkojnë bashkëpunimin me forcat e tjera opozitare. (A2 Televizion)