Berisha akuzon Ramën: Me paketën e maleve do të grabisë pronat, do t’ua japë trafikantëve

Nga Arestina Skënderi
17 Korrik 2025, 14:52 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për përfshirje në një plan grabitjeje pronash përmes së ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, që sipas tij përfaqëson një nismë tërësisht të paligjshme, e cila synon përvetësimin e tokave të banorëve vendas.

“Pas Paketës së Maleve qëndron një paligjshmëri absolute, sepse Edi Rama autorizon veten të marrë tokat dhe t’ua dhurojë ato atyre që nuk mund t’i disponojnë kurrë tokat e tyre. Veriu ka ndarë tokën sipas trashëgimisë dhe nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë tokë nga tjetri. Çdo përpjekje për të rrëmbyer pronë private në veri është një përpjekje për të nxitur gjakderdhje, armiqësi, urrejtje dhe përçarje”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Më tej, Berisha paralajmëroi se qeveria është duke përgatitur një skenar të rrezikshëm për të futur grupe trafikantësh në zonat malore, me qëllim blerjen e tokave nën presion apo përmes burimeve të paligjshme. “Jam i sigurt se Edi Rama do të ndërsejë skuadrat e tij të trafikantëve drejt zonave malore. U bëj thirrje qytetarëve: asnjë metër katror tokë mos u shisni njerëzve të dyshimtë, njerëzve me para të pista apo me origjinë të paqartë”, tha kreu i PD.

Prishjen e godinave në Theth, Berisha e cilësoi si hakmarrje politike nga ana e Ramës, pasi sipas tij, banorët e zonës votuan për Partinë Demokratike. “Diskriminimi i veriut është i pashembullt. Enver Hoxha e konsideronte zonë jo të vetën veriun, por investimet i ka pasur më të mëdha. Investimet e diktaturës kanë qenë më të mëdha se investimet e Edi Ramës në zonat e veriut”.

Në përmbyllje të deklaratës, Berisha publikoi edhe pamje nga Thethi, duke nënvizuar se asnjë nga ndërtimet e shembura nga IKMT nuk ndodhej brenda zonës së mbrojtur. Ai theksoi se të gjitha godinat e prishura ishin në zonën urbane, çka sipas tij, provon se veprimi i qeverisë ishte i qëllimshëm dhe politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos