Gjyqësori rrëzoi ankimimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri zgjedhore në qarkun e Tiranës. Argumentet e paraqitura nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franci Nuri, nuk bindën trupën gjyqësore për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në qarkun më të madh në vend.
Rrëzohet ankimimi. Seanca, e cila zgjati për rreth dy orë, qartësoi qëndrimin e gjyqtarëve se në zonën zgjedhore më të madhe të Shqipërisë nuk kishte pasur një farsë zgjedhore, pavarësisht pretendimeve të opozitës. Kjo i hapi rrugë certifikimit final të rezultatit për këtë zonë zgjedhore.
Sipas rezultatit, 37 mandatet e Tiranës u ndanë si më poshtë:
19 për Partinë Socialiste (PS),
13 për Partinë Demokratike (PD),
2 për partinë Mundësia,
1 për Partinë Socialdemokrate (PSD),
1 për Lëvizjen Bashkë,
dhe 1 për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Ndërkohë, për një zonë tjetër zgjedhore, Durrësin, Gjykata vendosi të marrë më shumë kohë dhe shtyu shqyrtimin për në datën 24 korrik. (A2 Televizion)